>
LETERSISHQIP
Albert Habazaj

Mos U Mërzit, Atdhe!

Motiv nga poezia e P. Kotes
Njomëzakë ishim në shkollën “Skënderbej”
Thurëm, miku im, ëndrra për botën.
Trishtim si Sizifi me gurin ndjej,
Por …, nuk kam përse ta ul sot kokën.

Ëndrra fisnike, ku e falnim jetën
Të bindur, për Atdheun bujarisht,
Kush në zdrukth e hante të vërtetën?!
Kush e hante dogmën sinqerisht?!

Nuk dua ta kthej kokën prapa,
Si ca, që dënglash bëjnë gara,
Ti dhe unë kemi Udhëtim të gjatë,
Ballëlart me shikim përpara,

Për Udhëtimin e blertë që na la,
për Udhëtimin e kaltër që s' e lëmë,
Edhe kur shqiponja krahët e vet ha,
Me vargje do ta ngrëmë në këmbë,

Të marrë qiejt e lartë përsëri,
Dhe pse ia shkarravitin krenarinë
Horrat që ujqërisht dynden lukuni,
Molarët si molë ia gërryen historinë.

Që me dy shporta fiq bëhen bosa,
Dhe, pastaj: “Ku të kam parë, Atdhe…”!
Të tillë, Poeti i Myzeqesë s' i çon me rosa,
Atdhe, ti mos u mërzit, ke ne...

Horrat s’të duan; të blejnë, të shesin,
Sikur të ishe një shtëpi bizhozi
Atdhe, mos u mërzit, se ke poetët
Të duan ata edhe kur i gërryen tuberkulozi.
Motivi atdhetar është identitet i një poeti. Atdheu është dashuria dhe dhembja jonë, gjenetika dhe origjina, qytetaria dhe përditësimi. Dashuria për familjen është atdhedashuria më e vyer, sepse aty çelin sythet morale të edukimit për familjene madhe të një gjaku e virtyteve të Arbrit. Dashuria për vendlindjen është dashuria për atdheun e vogël.

"Atdheu yt i vogli, i vogli
ai, hyjnori, i pavdekshmi si loti" - ligjëronte në dhembjen e tij të madhërishme Fatos Arapi ynë.

DËRGOI: