>
LETERSISHQIP
Andon Z. Çajupi

Besa-Besë

Gjithë vendetë gëzojnë,
ti, Shqipëri, pse pushon?
Gjithë njerëzit këndojnë,
ti, shqiptar, pse rënkon?
Gjithë duanë lirinë
dhe pa të njeriu s'rron;

ti, shqipëtar, Shqipërinë
në zgjedhë si e duron?

Zgjohuni, o shqipëtarë,
erdhi dita për liri!
Zini luftë me barbarë,
përpiqi për Shqipëri!

Të krishter' e myslimanë,
të tërë një sua kemi;
gegë, toskë, dibranë,
gjithë shqipëtarë jemi.

Mblidhuni te bëjmë benë,
të gjithë dorë për dorë:
Të duamë mëmëdhenë,
edhe malet me dëborë.

Që ditën që u shkeli
robëria dhe gjer sot
nukë bën më bar Dhëmbeli
dhe Tomori qan me lot.

Male me krye në qieli,
si duroni robërinë?
Ju që shihni drit' e diell,
pse s'ndrini dhe Shqipërinë?

Ku janë vaftet e parë,
që kini dhënë yrnek?
Ku jini, o shqipëtarë,
pse s'dëgjohet një dyfek?

Apo humbi trimëria,
apo s'doni mëmëdhenë?
A u shua Shqipëria,
që ka pjellë Skënderbenë?

Pse rrini lidhur me lak?
Pse shpëtoni vënd' tuaj?
apo s'u mbeti më gjak,
se e derdhtë për të huaj?

Mirri pushkëtë në duar
edhe bëni besa-besë:

Shqipëria do shpëtuar,
kokë turku të mos mbese!