>
LETERSISHQIP
Dionis Xhafa

Siria Nuk Është Larg

Jo, Siria nuk është larg, vetëm gjeografikisht është tutje, tej,
por njerëz ka edhe atje, krime, fate, djerrsinë, trishtim, mallkim e zjarr të bëra bashkë,
në Europë rrinë njerëzia, shtatin hedhur, këmbën mbi këmbë për shtatë palë qejfe,
e në vende të largëta, Lindje e Mesme, tej në Azi, a në Afrikë, fate popujsh, në kazan zier, vrarë e prerë pabesisht.

Jo Siria nuk është larg. Dhe Gjeneva flet për të, papërtim rri e flet,
por e kotë është, krejt e kotë, kur burimin e përroit e kanë zënë breshkë e madhe e gjarpër uji, që nuk lëvizin që andej,
E ai vend i largët na mësoi, se në kohë paqeje, për një moment, plas damari i njeriut, kërcet Damasku, kris lufta, e ka topa, shpata, gjak e mall. M’u në mes të mjerimit të madh, padrejtësi si lot i zi, në Gjenevë ka një dorëheqje. Drejtësia, po më e larta, edhe ajo në tokë ka rënë, vdekur prej kuçedrës që ka zënë ujët e burimit.

Tek e shohim vendin tonë, nervat, trishtimet, largimin, politikën, plas, kërcet, njëri shuplakë, tjetri mortje, e dikush s’din se ç’bën,
një moment është ai, kur viganët nuk bien dakord, shpatë del e vendi në zi, të bën të thuash me trishtim: "Jo, Siria nuk është larg".