>
LETERSISHQIP
Elisabeth Catez

Lartësim

O Hyji im, Trini që adhuroj! Më ndihmo ta harroj krejtësisht vetveten që të zë vend në Ty, i palëvizshëm dhe i qetë sikurse shpirti im të ishte tashmë në amshim!
Asgjë mos e shqetësoftë paqen time, as mos më bëftë të dal prej Teje, o i Pandryshueshmi im, por që çdo çast më çoftë më larg, në thellësitë e Misterit Tënd!

Paqësoje shpirtin tim, bëje të jetë qielli yt, banesa jote e dashur dhe vendi i pushimit Tënd! Kurrë mos të lëshofsha unë vetëm, por qofsha aty tërësisht, krejtësisht i zgjuar në fenë time, krejtësisht në adhurim, krejtësisht i lëshuar në veprimin Tënd krijues!

O Krishti im i dashur, i kryqëzuar për dashuri, do të doja Të të mbuloja me lavdi; do të doja Të të dua sa të vdes për ty! Por ndiej pafuqinë time; për këtë të lutem "të më veshësh me Ty", të përputhësh shpirtin tim me të gjitha lëvizjet e shpirtit tënd, të më përpish, të më pushtosh, të zësh vendin tim, në mënyrë që jeta ime të mos jetë tjetër veçse një rrezatim i jetës Sate! Eja në mua si Adhurues, si Riparues, si Shpëtimtar!

O Fjalë e amshuar, Fjalë e Hyjit tim! Dua ta kaloj jetën duke Të të dëgjuar, dua të bëhem krejt butësi, që të mësoj gjithçka prej Teje! Pastaj, nëpërmjet të gjitha netëve, të gjitha boshllëqeve, të gjitha pafuqive, dua Të t’i ngul sytë gjithmonë e të qëndroj nën dritën Tënde të madhe; o i dashuri Ylli im, më rrëmbe, që unë të mos mund të dal më prej shkëlqimit të rrezeve të tua!

O Zjarr që përpin, Shpirt Dashurie! "Zbrit përmbi mua", që të kryhet në shpirtin tim si një mishërim i Fjalës: që unë të jem për Të një njerëzim i shtuar, në të cilin Ai të vazhdojë Misterin e Tij!

E Ti, o Atë, përkulu mbi të varfërën krijesën Tënde të vogël, "mbuloje me praninë Tënde" e mos shiko në të veçse të "Dashurin Bir në të cilin ke vënë të gjitha kënaqësitë e tua!".

O "Tre" i imi, Gjithçkaja ime, Lumnia ime, Vetmi e pafund, Pafundësi ku tretem! Si një pre të dorëzohem krejtësisht Ty. Varrosu në mua që unë të varrosem në Ty, tek pres të vij për të kundruar në dritën Tënde humnerën e madhështisë Sate! Amen!
Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi