>
LETERSISHQIP

Lisi Flet

Trungu i lisit me mua flet,
Me gjoks hapur gjithnjë më pret,
Do t' ma qajë mua një dert,
Për një dhembje e një siklet !
Mirë se erdhe biri im,
Eja e ulu n' trungun tim ;
Ta tregoj një muhabet –
Ku jetova 500 vjet !
500 vjet m' ruajti Malësia,
Shumë pushuan nën degë t' mia !...
Sa shumë luftëra përjetova –
Çdo furtune i përballova !
Shumë shenjëtarë më morën n' thumba –
Trupi im mori shumë plumba !
Dhëmbët e sharrës dhe sëpata –
S' më lanë t' qetë dita, as nata !
Breshër, akuj m' kanë rëndua,
Borë e shi më kanë kaplua,
Nën degë t' mia kaloi shkau,
Porse rrënjët s' mund t' mi thau !
Sa luftëtarë këtu u strehuan,
Sa rreziqeve iu shpëtuan,
Sa grigja këtu mrizuan,
N' vapa zhegu u freskuan !...
Degët e mia kur u plakën –
Dikush n' zgor ma futi flakën !
Dikush erdh pa mendje koke –
M' preu me sharrë e m' shtriu për toke !
Ma preu trupin pa mëshirë –
Mori gjithë çka pata t' mirë,
Për kujtim ma la veç trungun,
Kalimtarët m' shikojnë si cungun !