>
LETERSISHQIP
Fan Noli

Kenga E Salep Sulltanit

Një mexhlis të math na çeli
Pandeli Jano Vangjeli
Me Sulltan-llokum na veli
Si kofini pas të vjeli.

Fyt' i Floqit po pëllet
Top' i Krosit po kërcet:
Ç'është ky sheqer-kësmet?
Hallvaxhin' e pamë mbret!

Dhe rakia vete-vjen
Xhafer Ypi na mbërthen
Dhe për lot na mallëngjen
Rreth konopit me legjen.

Koço Kotta, mjek hanxhari,
Nis një valle palikari,
Se me një ferman kusari
Sadrazem u-bë firari.

Dhe Feridi faqe ndron,
Die shante, sot lëvdon
Fryn bulçit' e trumbeton,
Që Katrani zbardhëllon.

Dhe sarhosh Iljas Vrioni
Dehet, siç e do zakoni,
Bërtet: "Rroftë Napoloni!
Kështu tha dhe Ksenofoni!"

Se ç' u-çporr xhumhurieti,
Se ç'u-rahatos mileti,
Se Sulltanin prap' e gjeti,
Se, që kur e humbi, s'fjeti!

Ç'ka sepse i vjetri qe
Madhështor sa një deve
Dhe ky s'bën as për meze!
Rroftë sa jep ylefe.

Se ç' na u-gëzua xhani,
Se ç'na preu Ramazani,
Se ç' na piu Italjani,
Rroftë pra Salep-Sulltani!