>
LETERSISHQIP
Frashër Kastrati

Nëna

PËR TY LOÇKA E SHPIRTIT TIM, NËNË
Më kujtohet fëmijëria ime e largët, më mbaje në krahë kudo, më merrje me vete në ara, ktheheshim në shtëpi, më ushqeje, më puthje, e unë shërohesha nga puthja jote, kujtoj ende përqafimin tënd të ngrohtë, krahët e tu rreth trupit tim të vogël.
E sot kur jam rritur e kuptoj më mirë se me çfarë je përballur, e të jam mirënjohës që nuk na le. Kur një ditë kuptova që nuk mund t'jetoje me baban, ti na mbaje afër vetes dhe se sa rëndësi ka kjo e di më mirë tani se atëherë. Kanë kaluar shumë vite prej asaj kohe, unë jam rritur e ti je plakur por mes gjërash që nuk kanë ndryshuar ka diçka që ka mbetur njësoj, është FORCA JOTE.
Ti ke qenë gjithmonë kështu, një grua që di se çfarë ka bërë, një grua që ka pranuar fatin e saj dhe është përpjekur që ta sfidoj, mirëpo deri sot e kam marrë të mirqenë, por sot po e shoh se si ende lufton, ende bën çmos që t’i presësh nipat e mbesat e tua, aty ke shkallët.
Dua të të falënderoj, e sa mirënjohës e krenar jam për ty për çdo gjë që ke bërë për ne. Ke jetuar në atë shtëpi, po, në atë shtëpi ku dhimbja vallëzonte pa pushim dhe rrinte gati për t’goditur, mirëpo ti i qëndrove e fortë e nuk iu dorëzove kurrë. Nuk ishte ajo shtëpia që donim, e di, sepse ajo sjellte kujtime të trishta dhe vrastare, por ti arrite ta kthesh atë nga e shkreta në të mirë, me oborr të madh, bari jeshil, pemë frutore e poashtu me një kuzhinë ku mund të mblidheshim të gjithë rreth tavolinës, të hanim, t’pinim, të kënaqeshim, e me sa dukej ishe ti ajo që e mbaje në këmbë shtëpinë dhe i dhe aromën e NËNËS asaj.
Sot, e shoh derën e mbyllur, re të zeza marrin dhenë, dhe si për rrjedhoj të saj qëndrojnë në çati të shtëpisë ku na lënë të kuptojmë se edhe ato janë të veshura në të zeza, edhe rrinë bashkë me ne. Ahhh, sa boshllëk të madh që le, nuk do t’jetë njësoj e di. Jemi rritur me dashurinë tënde t’madhe, këtë e them që t’qetësohesh, sepse asnjëherë nuk e ndjeja mungesën e babas, ishe ti ajo që i plotësoje pa kushte e pa fjalë, por sot, sot po e shoh se sa e vështirë dhe poashtu e mundimshme paska kenë për ty, sepse ti e bëje këtë punë pa lodhje, pa asnjë ankesë.
Sot, sot kur duhet të ishim ne ata që t’kujdesnim për ty e të prisnim të vije t’na vizitosh, je ti, po, je ti ajo që bëre tek pushimorja që ne të vizitonim, e sa herë që vija, të shihja aty ke pushimorja që më prisje me atë buzëqeshje rrezatuese e cila më knaqte shpirtin derisa vija në krahët e tu, e aty ndjeja ngrohtësinë e dashurinë tate t’madhe.
Të është dashur të bëhesh nënë për katër fëmijët e mbetur jetim, ti, ti u bëre shpëtimi i tyre, ti, ti i dhe dashurinë kur askush nuk i përfillte, ti i qoje në shkollë ashtu pa para, shumë herë qëndroje natën duke larë e shpërlarë rrobat e tyre, vetëm e vetëm që të shkonin të pastër. Ishe ti ajo që i mbaje në një dhomë sepse ishe bërë kurbani i tyre, ishe ti ajo që i vendosje lodrat në dysheme edhe pse ishin të pakta, ishe ti ajo që qaje kur i vishje rroba të trasha dhe i shikoje që i binin të mëdha, rroba të falura që mezi i laje me dorë në dimrin e ftohtë. Ishe ti ajo që i përqafoje kur qanin sepse donin babanë, edhe pse nuk e mbajnë në mend mirë, por ju mungonte aroma e tij, ishe ti ajo që i ngrije kur rrëzoheshin, ti i mësove butësinë, e respektin, e moralin, e si duhet t’jenë shembull e të uruar nga njerëzit.
Shpesh i thoje vetes se nuk ke më forcë, se nuk di se si t’sillesh me katër fëmijët që për hirë të së vërtetës nuk është se njohën dashurinë e babait, por pastaj e kupton se po t’mos ishe ti, nuk do t’jetë askush tjetër pranë tyre, qoftë për të dhënë vetëm pak qull apo bukë me sheqer. Ti qaje kur i shihje se i zinte gjumi në tokë, e pyesje veten se çfarë kanë këta katër fëmijë që rriten në këtë shtëpi, çfarë faji kanë që në këtë shtëpi që sapo hyn brenda ndjen të ftohtin që t’përplaset fytyrës dhe erën e rëndë të mykut dhe lagështisë.
Ti qaje, ti qaje kur e shihje të voglin që rritej në atë shtëpi, e shumë herë me këmbë të zbathura që shkelnin në atë dysheme të ftohtë. Ti nuk mund t’bëje asgjë më shumë, ti ke zemër dhe e ke ndarë për ta. Nëna ime, një ditë ata do ta kuptojnë se kanë qenë me fat që ti ishe shpirti i shpirtit të tyre.
Sa herë je ndi keq që nuk ke bërë gjënë e duhur, sa herë je ndie keq që nuk i ke ushqyer si duhet, sa herë je ndie keq që kishin të ftohët, sa herë je ndie keq që nuk kishin lodra, sa herë je ndie keq që nuk kishin rroba, sa herë je ndie keq që nuk po rriteshin si fëmijët e tjerë të lagjes në mes të përqafimeve të babait e të nënës dhe të ledhatimeve të kokës. Ehhh sa e sa pyetje pa përgjigje.
Eee po, dua ta dish një gjë, një gjë se ishe ti ajo që i dhe një fëmijëri dhe një familje, sepse ata pa ty do të ishin të vetëm. Mbase shtrati ku flen nuk ishte i butë, mbase buka që hanin ishte e fortë, por ata kishin dikë që e thërrisin NËNË dhe një prehër për të qarë.
Data e publikimit: 24.05.2024
Ora: 20:05
Lexon: Frashër Kastrati
Video & montazh: Frashër Kastrati