>
LETERSISHQIP

Zjarret E Lidhjes

Te Shtëpia e Lidhjes
ende puprushet një zjarr
me moshë Ilirie
Zjarr i moçëm
që në unazat e kohës
ngroh shpirtin
me idil Shqipërie

Shtëpia e Lidhjes
ëndërr e zgjuar mbi njëqind vjet
me ankthet e gjysmëhënës
e tmerrin e yllit të kuq
që pritjet e shekujve i lidhi gërshetë
Histori e gurëzuar kujtim i gjallë
i një kombi të shpërndarë

Në Shtëpinë e Lidhjes
shpirti shkruan gjurmët e historisë
me peshën e fajit dhe turpit
dhe shpresës që rritet si nur
si filiz mbi gur
se pas një rruge të gjatë
zjarret e Lidhjes sërish do marrin flakë