>
LETERSISHQIP
Havzi Nela

Eni Të Vajtojmë Shqipërinë

Eni ju o motra, eni ju o gra
Eni ju o vasha, që dini me qa
Eni ju reçjanka, vajtimtare n’za
Eni t’marrim vajin, sot hije na ka
Eni gjithë s’bashku, le ta shpallim zinë
Me gjamë e me kuje ta vajtojmë Shqipninë
Le ta qajmë me lot, ta qajmë pa pushu
Me afshin e zemrës, të rrëzojmë gur e dru
Le ta qajmë këtë nanë, le ta qajmë këtë bijë
Le ta qajmë kët nuse pa foshnje në gji
Le t’ia heqim vellon, stolisjet e kota
Le t’ia zbulojmë shtatin, ta shohë e gjithë bota

Nda e përçundue, larg prej shoqesh tjera
Shikoni si dergjet, si lëngon e mjera
Mundohet qyqarja, rron me shpirt ndër dhambë
Banditët e vendit e kan vu nën kambë
E mposhten, e shtruen, me hekur e zjarr
Neronët e kohës ia banë jetën varr
E veshën me gjemba, me tela e ferra
E kyçën nga brenda, s’e lanë as te dera
N’derë, as ne dritare, s’e lanë me pa fare
Ia kanë qepë sytë, për faqe t’zezë e marre

Lidhun me zinxhirë, shkoqun krahë e fletë
Në ditën plot diell, në lumë e terr ka mbetë
E thithën shushunjëzat, i ligu mizori
E thanë, e çnderuan, epshori e hori

A e dini shqiptarë, ç’ngreminë kemi rà
Hangrëm njeni-tjetrin, u mbytem vlla me vlla
Hangrëm njeni-tjetrin me kurthe e t’pabesë
Me thasë e intriga, shamata rri ndezë.

O Zot, ç’ka po heqim, çfarë na shohin sytë
S’na gëzohet mbramja, as kur zbardhen dritë
S’na tremb burgu, plumbi e as litari
Kur na shkel me kambë, na zhagmit zuzari
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë
Ngrehuni shqiptarë sot të gjithë në kambë
Nuk rrohet me zor, nuk lihet kjo nanë
A lulëzon dheu pa diell e pa hanë?
Jo jo, nuk durohen sarhoshët e marrë
Banditët e vendit t’i shporrim sa ma parë
Seline e përgjakun, ta bajmë rrafsh me tokë
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë

A jeton shqiponja e shëmbun përtokë
Thye krahë e pendë, lidhun kamb’e kokë?
A jeton kjo zonjë në llum e batak
Në lëngim e vaj, e mbytun në gjak?

Ku e keni trimninë, krenarinë e parë?
A jeni sot të denje të quhemi shqiptarë?
A do ta lemë veten, Shqipninë në kafaz
Në det plot stuhi me dallgë me u përplasë?

Shihni rreth e rrotull, shikoni pranë nesh
Shihni popujt tjerë me ç’gjuhë mirren vesh
Kanë shpallur miqësinë, vini vesh ksaj fjale
Kapen dore per dore, e po hyjnë n’një valle
Asht vallja e re, krejt ndryshe nga tjetra
Asht vallja hirplote që i shëron plag’t e vjetra
Burrel, shkurt 1977