>
LETERSISHQIP
Lasgush Poradeci

Mbarim Vjeshte

Fluturoj dhe shtërg' i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që-me-natë sipër malesh me deborë
Iku rënd' e i përmallshëmë, dhe me sqep të ri të fortë
Zotëriut q'i la folezën i trokiti mun në portë...

Pra, më s'duket shpes'i fatit prapa bujqësh dhe plorësh,
Prapa brazdës së rrëxuar hap-me-hap prej qe maloresh;
Më s'dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë,
Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht' e shkretëtirtë.

Dher-i i mardhur prej thëllimi dirgjet heshtur nënë brymë,
Fryn veriu në pyll të thatë me zemrim e me fërtymë,
E si shtohet cingërima... Ja! Se ku dinak dh'i voçrr...
Nëpër gardh-e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçërr !...

O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,
Kur bariste dal-nga-dale, - posi dhëndër me kurorë!...
E kur pranë-i vinte krilla, që shëndrij në kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur - posi vash' e nusëruar!...