>
LETERSISHQIP
Liri Loshi

Malli I Brigjeve

Me stihi t'natyrës
Me shi e rrebesh
Ndër kohëra të errta
Toka ime u ndesh…
Një rrëfim i lashtë
Nga njëmijë rrëfime
Ma bën më të dashur
Të voglën, Tokën time:
Nga tërbim i qiellit
Shtratin lëshuan përrojet
Të na i gërryenin arat
Të na i merrnin trojet.
Urat ç’na i rrënuan
Na i shkëputën brigjet
Rrugët na i prenë –
Na i mbyllën shtigjet.
Ndaj u mblodhën burrat
Zjarr mori kuvendi:
– Urat t’i ndërtojmë,
Të mëkëmbët vendi!
Pranë e pranë punëtorët,
Gurët, armatura…
Toka po ndërtonte
Më të mirat ura.
– Na i shëroni udhët,
Na i hapni shtigjet
Se p na gërryen malli…
Zëshëm thirrnin brigjet.
Njerëzit do orë të vona
Ia grabitnin gjumit
Djersë rridhte mbi ura
Valë i shtonin lumit…
Një ditë bregu bregun
Si vëllai vëllanë
Seç u morën ngryk
Dhe më nuk u ndanë.