>
LETERSISHQIP
Malvina Stafa

Njeriu U Bë Fjalë

Elegji- kushtuar babait
Çfarë trajte mori zëri yt i ëmbël?
Si magnet tërhoqi shumë engjëj.
Por unë jam e bindur se forma jote te unë
Vjen si dora e zotit kur bie në gjumë.
Kaq heshtur u trete si fëmijë çuditem ende
Si mjaltë puthja e fundit, më ç'malle e më trembe.
Sa ëmbël u harkove sot në gjithësi
Re si një yll i vrarë në dëshpërimin tim.
Si mundet i fikuri ti bëjë dritë të gjallit
Pa asnjë mundim, veç me një vështrim?
Harku i gjithësisë kalit shpirtin tim.
Me shumë këmbëngulje harmonika e shpirtit tënd,
s'donte të jetonte me diabetin e rëndë,
kërkonte dorën e nënës shpirtin me dhënë.
Tingujt e zërit tënd kurrë nuk u mekën
Jetojnë në memorien e dehur.
Kurrë nuk e dëgjova të qarën e shpirtit tënd
Sa dallgë desh të mbytën e mora me mend
Veç një lutje bëra të lutem mos më lër.
Kur qielli i jetës papritur krisi dhe u nda
U drodha: oh, babai më la.
Ai vështrim iku, më gjithësi nuk ka.
Në dhomën e akulltë pëshpëriti e më tha:
Nëse malli të djeg për mua,
Përqafo fëmijët për të jetuar
Shiko sytë e motrës për t'u çliruar
Puth dorën e mamit ndjehu e bekuar
Bëre sa munde unë jam dorëzuar.
Të puth ty qenie e dritës nga të gjitha plasat
Filiz 'i ekzistencës çel paqe e rrjedh lot'
Ishe shumë unik s'të kopjojmë dot.
... por Ti prap përhumbur mërmërit ngadalë.
Ç’ është njeri Njeriu
O zot... dhe bëhet fjalë.