>
LETERSISHQIP
Ndue Lazri

Një Kafe Me Vaçen

Nga blloku i shënimeve
Më ka mbetur në kujtesë ai mëngjes, siç mbeten e nuk shlyhen kurrë kujtime që përmbajnë në vetvehte emocione të mëdha. Isha student në vitin e fundit të degës së gazetarisë. Këngëtaren e madhe Vaçe Zela e doja, siç e donin gjithë artdashësit dhe njerëzit e pasionuar pas zërit të saj. Kur Radio Tirana transmetonte zërin e saj në këngë të tilla si "Valsi i lumturisë", "Jeho", "Të lumtur të dua" etj. ishte e pamundur të mos mbërtheheshe nga emocione të fuqishme, që veç zëri i saj dinte të përcillte. Kisha lexuar diku, që në një koncert të dhënë në një nga shtetet e Evropës, një muzikolog e kishte cilësuar si "bilbili i Adriatikut".
Duke marrë shkas nga ai koncert, shkrojta një tregim me titull "Era e maleve", kushtuar këngëtares sonë të madhe. Ai tregim u botua në faqet e gazetës "Studenti", me një ilustrim të bukur të piktorit të Avenir Sadikaj.
Kishin kaluar nja dy javë nga botimi i atij tregimi. Gazeta "Zëri i rinisë" më kishte ngarkuar të bëja një shkrim për këngëtaren Zeliha Sina. Për ta intervistuar shkova në ambientet e Teatrit të Operas e Baletit, ku bënte provat e jepte shfaqje edhe Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore. Pasi kisha mbaruar intervistën e po zbrisja nëpër shkallë, u ndodha ballë për ballë me këngëtarën e shquar Ibrahim Tukiçi, të cilin kisha patur rastin ta njihja. Me atë dashamirësinë që e karakterizonte, ai më takoi dhe më tha:- Djaloç, e di që Vaçe Zelës i kanë folur mirë për atë tregimin tënd?…Ajo nuk e ka lexuar akoma. Gjej një kopje të gazetës dhe sillja…
U skuqa nga emocioni e nuk dija të thoja asnjë fjalë. Po Ibrahimi ishte mjeshtër në largimin e emocioneve.
-Eja nesër nga ora 10, kur bëjmë pushimin e provave. Takohemi në barin e Teatrit të Operas e pimë një kafe. Unë do të zbres bashkë me Vaçen, - më tha, duke më vënë me dashamirësi dorën në sup.
Merret me mend se si e prita atë mëngjes. Vajta në redaksinë e gazetës "Studenti", ku kryeredaktori, Dilaver Baxhaku, më dhuroi një kopje të gazetës me tregimin, dhe shkova në Teatrin e Operas. Kisha shkuar gati një orë përpara dhe baristja më pyeti disa herë se çfarë dëshiroja të pija, po i thashë që prisja njerëz.
Nëpër shkallë u dëgjua zëri i Ibrahimit, që dinte të krijonte gjallëri e humor kudo që ishte. Hyri në bar duke qeshur. Dhe me të ishte Ajo…Ikona e këngës shqiptare. Gjer atëherë e kisha parë vetëm në ekran, apo në skenë nëpër koncerte, po kurrë kaq afër. Shtatlartë, me atë trupin e derdhur e belin e hollë, me ata flokët që
i derdheshin si ujvarë mbi supe gati për të arritur belin, ishte magjepsëse.
Kisha mbetur i shtangur dhe me siguri isha bërë flakë i kuq në fytyrë nga emocioni. Ibrahimi më pa, buzëqeshi dhe duke e tërhequr Vaçen për dore, i tha:-
Ky është ai djali që ka shkruar tregimin. E kemi mirditor.Vaçja më zgjati dorën dhe, duke parë gjendjen time të emocionuar tha lirshëm:- O, sa mirë që po njihemi…Po gazetën, ma ke sjellë?
Pa mundur të them asnjë fjalë ia zgjata gazetën. Ajo e hapi në faqet e mesit, ku ishte tregimi, i hodhi një sy kalimthi dhe, duke e palosur gazetën më tha:- Do ta lexoj me qetësi kur të kthehem në shtëpi. Pastaj, duke na zënë për krahu Ibrahimin dhe mua, tha me atë zërin e saj me një tingëllimë të paharrueshme:-Epo
sot jeni miqtë e mi, do u qeras unë. Dhe porositi kafetë, ndërsa ne zumë vend në një tavolinë në qoshe.
Vajtën në djall planet e mia. Një ditë më parë kisha marrë honoraret tek gazeta "Zëri i rinisë" dhe e ndjeja vehten të pasur e kisha menduar t' i qerasja unë, sido që e dija bujarinë prej shkodrani të Ibrahimit. Kurse tani, ajo e tha aq natyrshëm sa nuk gjeja dot fjalë të kundërshtoja.
Kaluam gati gjysmë ore duke biseduar atë mëngjes, ku barzaletat shkodrane të treguara mjeshtërisht nga Ibrahimi e bënë ambientin të gjallë e Vaçja qeshte me shpirt, se i pëlqenin…
Atë të qeshur të Vaçes, dua ta kujtoj edhe sot, kur këngëtarja jonë e madhe nuk është më. Dua ta kujtoj bashkë me këngët e saj, me zërin e saj, me mirënjohjen për artin që na dhuroi, për trashëgiminë artistike që na lë. Jemi rritur me ato këngë e do t'i marrim pas ngado që të na hedhin rrugët e fatit. Ajo ishte dhe mbetet bilbili i këngës shqipe.