>
LETERSISHQIP

Tok Me Erën, Sot Më Nise

Tok me erën, sot më nise
Fluturimthi udhës sate…
S’pata frikë të fluturoja
M’ u duk vehtja sot gjigande…
Më dhe forcë si panterës…
Vendosmëri prej shqiponje…
Më dhe krahë prej pëllumbi
Shkëlqimin, prej xixëllonje…
Më dhe besë si të burrit,
që kurrë fjale nuk të del…
Më dhe ashpërsinë e gurit,
që nuk thyhet po u shkel…
Më dhe sot mision të vyer
T’ i prija udhë, udhëtarit
Më dhe zemër të pathyer
T’ i tregoja vendin djallit…
Sot, më bëre pëllumbeshë…
Përmbi fat t’ i fluturoja…
E ta bëja shpirtin det…
Njerëzit mbarë, sot të ndihmoja…
Unë misionin tim e kreva
Besa, plotpërplot dashni…
Tash tek ti, lutjet dërgova:
“ZOT, ndihmoje çdo njeri”…
Askënd mos e ler vetmuar
As, që njerëzit t’ a godasin
As t’ a lenë dëshpëruar
As shpirtin, hidhur t’ i plasin.
Jepi ujë, udhëtarit, edhe bukë, edhe mëshirë
Pasurinë e zuzarit, shkrije, ktheje në të mirë…
Jepu zemër të pangopurve…
Që kokën e mbajnë krekosur
Dikur edhe ata, qenë skamorë, të leckosur…
Mos e torturo të mirin, në njëmijë labirinthe…
Bëja dritë ngado të shkojë…
Pa peripeci, e kurthe…