>
LETERSISHQIP
Rexhep Shahu

Rrugët I Kërrus Vetmia

Rrugët i kërrus vetmia
Mua mungesa jote.

Nga malli për ty
Më përgjakën xhamat e thyera të zemërimit.

Ka ditë që më duket se jam kufomë që eci
Ndjehem krejt bosh pa ty zemër
Sa vij të shoh ty zemra ime jashtë meje
Filloj marr frymë normalisht.

Pranvera me lule e zogj që këndojnë
Është më e vogla dhuratë për ty.
Dimrat do t’i mbaj për vete
T’i fsheh thellë në sy.

Ti nuk je, unë s’kam kë dua
S’kam kë përqafoj
S’kam kujt t’i pëshpërij.
Nuk zgjohem më asnjë mëngjes
Zgjohesha për ty…

Ti ike larg
përtej syve
matanë.
Po nga ëndrrat pse s’më ikë
Pse rri
Pse s’shoh ëndrra pa ty…

Tani do të doja të isha me ty
t’i ndizja një nga një yjet në sytë e tu

Do t’i marr gjithë yjet e qiellit tim dhe do t’i sjell ty
do t’i ve ato në flokët e tu
do t’i lë zotat në terr.

Kam filluar të zgjohem herët
Me ardhë tek ti
Për pak diell sysh.

Ti je ikje brenda meje
unë, rendje pas teje…

Edhe një ditë nëse kalon pa aromën tënde
Në mbremje yjet do të këputën
Ti do të ecësh nëpër prush dhimbjesh
Nëpër thëngjll yjesh…

S’po i dal dot përtej hijes time të mbrëmjes
Që zgjatet deri te ti.
Dielli kur të pa që po më prisje
Ma zgjati hijen, të të mbërrij.

Po fryn
Vetëtin e bie shi i sertë malli.

Po ku e din ti çfarë është malli
si ta dish ti që nuk arrin të lexosh në sytë e saj
një turbullirë loti që as derdhet e as ikën mbrapsht
por pret të pihet prej buzëve të puthjes.

Ku e din ti çfarë është malli
kur nuk arrin të lexosh rrudhat e padukshme
poshtë syve që qajnë pa lot mungesën e mallin
kur nuk arrin të lexosh buzëqeshjen e fshehtë
por i beson asaj që ajo i jep botës për etiketë
ndërsa thellë e përvëlon loti i nxehtë.

Nuk mund ta dish çfarë është malli
derisa ecën si gjithë njerzit
dhe nuk të fluturon kapaku i kresë…

Unë nuk i kam duart e tua rreth qafe
Por pesha e tyre më rëndon sa ëndrrat
Unë nuk i mbush më duart e mia me ty
Por poret e lëkurës së duarve të mia janë ding me ty
Buzët e mia janë plot me puthjet e tua
Faqet e mia kanë ngrohtësinë e dorës tënde që më përkëdhel
Mjekra ime është në dorën tënde që e puth me afsh
Buzët e mia kanë mbetë në ty
Shih duart se i ke aty.

Tani ti vizaton fatin në mua
Hartën e shpresës në sytë e mi
Udhët ku më merr përdore në rudhat e mia
Të më bësh fëmijë.

Mbërriti mbrëmja e kësaj dite pa ty
Në duart e mia të lutjes qan
Si zog të vogël e fus në gji
Për puthjen që mungoi qan.

Tani, këtë çast
kur nata më ka hyrë në sy
ndjej dhëmbët e tu të bardhë
tek mundohen të ma kafshojnë
shuplakën e shtrirë të dorës.
Mundohem të qesh
ndërsa loti lan natën.

Mendoja se do të kthejnë tek unë
Ëndrrat që ruaja për ty.

Vetmia pikon nga strehët e shpirtit
Dhe m’i lag ëndrrat.

Po fryn erë malli…
Germat e emrit m’i lëshon përtokë
si tjegullat e çatisë së vjetër

m’i ndjek nëpër udhë
si gjethet e rëna vjeshtën e fundit

derisa t’m’i kalbë germat e emrit
në pellgje harrimi.

Aq shumë të dua
sa më dukesh e pavërtetë
më bëhet se ekziston vetëm në ëndërr
edhe pse dora jote më rrëshqet në fytyrë…

Bie shi malli
në udhën e puthjeve tona.
Mjafton që e di se je në këtë qytet
dhe ndjehem i mbrojtur nga rrufetë e qiellit.
Mjafton që e di se je në këtë qytet
kanë kuptim zgjimet.
Kur më merr malli për veten
vij shihem në sytë e tu.
Kur dua të bëhem i bukur
vij dhe vishem me vështrimin e syve tu
me qeshjen tënde që më kthen në xixëllonjë.
Eci nëpër shi kujtimesh dhe qaj
Pengje puthjesh jemi ne.

Nga malli
Ti vlon e pikon lot i nxehtë
Nga sytë e mi.

Sa herë fryn mall
Më therin dhimbjet…

"Dhe nëse ndonjë ditë
të pyet ndokush për mua"

I thuaj se të desha shumë
sa mendimin, sa fjalën
sa lulja dritën, sa vesa lulen
sa loti syrin
sa buza buzën e puthjes
sa ëndrra krahët e përqafimit
sa udha hapat e hapat udhën
sa qielli zogjtë e sa zogjtë qiellin
sa deti brigjet e brigjet detin
sa unë ty që e di veç zoti sa të dua…

Ne ishim fjalë, puthje, buzëqeshje
Dritë sysh ishe ti, më bëje dritë në jetë
Po tani nga erdhi kjo heshtja jote
Ky det që s’flet, kjo hënë e verbër.

Ulesh si flutur në ëndrrat e mia
Shkrin akujt e deshpërimit tim…

Lutjet e mia i morën zogjtë
i derdhën nëpër qiell.
Ndoshta kanë shpirt zotat.

Veç teje
S’kam ëndërr tjetër.

S’kam qiell tjetër
Veç syve tu.

Gjithë kohën që mungoj
Jam i humbur honeve të vetes
Me gjetë udhën për te ti.

Gjithë ditët që mungoj
Ti je me mua më shumë se kur jam me ty.

Je loti që më vlon në sy.


E nxora veten prej vetes time
E ta dhashë ty.

Më duket ti më ruan më mire.


I duhet një trëndafil kësaj nate
Por ti je larg

S’kam ku ti marr buzët e tua.

Ku me të vu në qiell për dritë
Dritë për veten.

Sejcili ka yllin e vet.

Nuk e gjeta sot veten në ty.

Kush e di ku më ke harruar
Në ëndrrën e vjetër.

Asgjë nga unë s’mbeti në ty.

Veç një hije në cep të syrit
Herë pas here qan.

Asgjë s’mora sot nga ti
Veç trishtimit.

Sot ia kishe dhënë sytë diellit
Më pa me sytë e tu.

Vitet varur poshtë syve tu
do t’i bëj flutura.
Dhimbjet aty do t’i bëj puthje.

Ti mbjell trëndafila.
Unë fluturoj nga qërpikët e tu
Dhe bëhem flutur në petale.

Vetja më ngjan me një trëndafil
Që ti më mbjell në ëndërr.

Shkoj udhëve nga ti ke ecur
të zgjoj tek gjurmët e hapave që ke lënë
të marr përdore
të përqafoj e të puth për gjithë vitet që ke munguar.

Nëse nuk e duron dot mallin tim,
nëse e sheh se nuk ngihem me ty
mos mungo kaq rëndë
kjo mungesë thanë rrënjët e lisave…

Nëse më sheh ndokund në ëndërr ndonjë natë
ndalu, folmë, jepma dorën.

Ndalu folmë se mund të më vijë drita e syve.

Unë nuk do të bëja tjetër
por një varëse me yje qielli do ta varja në qafë.

U sosa udhëve
e pritjeve.
Eja se pa ty nuk di si të rri
Ose më mëso si rrihet pa ty.

Se nuk të puth kur dua shpika pritjen
se nuk jam tani me ty shpika ëndrrën.
Si flutur ulesh në ëndrrat e mia
Shkrin akujt e deshpërimit tim…

Derisa unë të dua ty
Asnjë zog nuk do të mbetet pa kapërcyer detin.