>
LETERSISHQIP
Sadik Bejko

Babai

Këtë Dhè me dhè ma shkeli burri;
brazdave dhe rrugëve diti të ecë e të ecë gjatë;
kur të na ikësh, baba,
do të mbulojmë me furshullima gruri,
do të vëmë nën kokë gjeth e bar të thatë.

Plak i rreshkur në ugare, në korrje,
thyer në mes, lagur pas dy qeve,
pas një kali rruga gjithmonë për te shtëpia;
ti më kujton vendlindjen me përrenj të bardhë
me vreshtat ku marsit përherë qan hardhia.

S’ je më i ri, s’ na merr dot kaliqafë.
Ti që thërrmove dhè me duart e rënda
që urat e zjarrit në gur e në ujë i shkrepe,
mbi supe bar e lisa ne, fëmijët, të jemi
mbi brigjet e zhveshura, mbi brigjet e një jete,

mbi jetën tënde, atë, mbi mundimet që pate,
kur ma shkelje këtë Dhè me dhè.
Kur më ke përkëdhelur,
mbi supe, mbi flokë më mbeteshin dhera,
thërrime nga jeta jote më ke lënë atje.