>
LETERSISHQIP
Shkelzen Nuredini

Skënderbeu Ne Kruj

Dy sytë e derdhur në bronz
Vështrojnë andej larg, tej nga malet…
Një qiell i trazuar në sfond
Si det i mbuluar me valë.

Atje ku qëndron përjetësisht,
Nga malet vështrimin drejtuar,
Një fllad që fryn butësisht
Fëshfërin për të t’shplodhur, shpenguar.

Mbi shpatën tënde zogjtë
Cicërojnë lehtësisht pa pushim.
Pranë teje prapë njerëzit e tu
I sheh në çdo mbrëmje dhe zgjim.

Nuk kanë të mbaruar stuhitë
Që nga malet vijnë plot gjëmim
Por në malet e larta drejtohet
Përjetë i yti vështrim…!

Nuk mbarojnë asnjëherë pabesitë
Që Shqipërisë i trokasin sërish
Por ti dhe i derdhur në bronz
E tërheq si magnet – lartësish …!

Nuk ka minuta për prehje
Në sytë e bronztë – horizontit.
Qetësi sjell në zemrat e njerëzve
Je shpatë e Dorës së Zotit.

Në kohë te këqia e të rënda
Në kaos apo çmenduri …
Ti je atje dhe në zemra
Gjithmonë na risjell krenari.