>
LETERSISHQIP
Stelina Jaupi

Do Të Gjeja

Natën që drita e qiririt tim u fik, mora rrëmbyeshëm xhaketën e zezë dhe dola me shpejtësi nga shtëpia. Ishte errësirë dhe për atë cast përjetësie sytë e mi nuk mundeshin të identifikonin asgjë. Veshët e mi nuk dëgjonin asgjë tjetër përvecse rrahjet e zemrës sime, që për të qënë e sinqertë më dukej sikur nuk rrihte brenda meje.Më dukej sikur gjithë bota e dëgjonte, se ishte e kumbueshme si notat e forta të një pianoje.Kalova shkallë.Gulçoja dhe këmbët i ndjeja të rënda.Nuk mundesha të merrja frymë lirisht dhe doja të largohesha.Hipa në një taksi dhe iu luta zotriut që do të më shoqëronte gjatë heshtjes sime të më contë ku të dëshironte.Rruga mu duk e pambarimtë.Taksixhiu më shikonte me sytë plot dhembshuri dhe unë iu luta të vazhdonte edhe pak edhe pse nuk kisha para të mbetura.
Jashtë dritares së makinës së vjetër pashë teksa ecje si një copëz akulli, me atë shikimin e vrenjtur dhe me pallton e gjerë deri në fund të këmbëve.Akoma nuk mundesha ta besoja.Dola nga taksia dhe me këmbë të zhveshura dhe me një trup të ngrirë fillova të vrapoj aq shpejt sa mundesha dhe besoja se duke vrapuar edhe dhimbja do të ikte.Teksa vrapoja rrugëve të lagështa, shpresoja se diku midis atyre pemëve do të gjeja dhe bashkë përsëri do të ecnim në ditët tona të gëzueshme.
Kërkova aromën tende nëpër libra të vdekur në bibiliotekë, me shpresën se në ndonjë rresht apo faqe, që ishte bëre vakti i pashmangshëm i kohës do të gjeja, me shpresën se nuk ishe bërë muza e poezisë e tjetër njeriu.Kërkova për ty në galeritë më madhështore të qytetit, sikur të ishe piktura më e bukur në botë.Të kërkova sikur të ishe lule e fshehur në lëndinë dhe besoja se kishte shpresë.Ende ka shpresë përderisa ka lot në sy.
E pas kërkimit tim të gjatë, me qeliza të vdekura dhe me duar akull vura në buzët e mija të nxira një gotë vere dhe prisja duke e gënjyer veten se një letër do të vinte nga ty në kutine postare.
Por ti si gjithmonë me vonesë, ndërsa unë…unë zgjohem cdo ditë me këmbë të zhveshura afër liqenit dhe cdo ditë e urrej akoma edhe më shumë që më pasqyron pa ty.Realiteti si rrufe brenda gjoksit më godet.Kthehem në shtëpi duarbosh dhe mundohem mos ta lejoj vetveten të kuptojë që ishte e gjitha në kokën time.