>
LETERSISHQIP
Ada Halilaj

Gjashtëdhjetë E Dy Metra Katror

Shtëpia jeme ka përmasat e mia
Ka katër sy macesh
E tre dritare që presin gurin e dritës
E vakte nën llampë
E vetmi moshatare
E libra
E venë
E një vend kitarre që harroj me ble
E mishi në zjarr që nuk vlon kurrë,
E mishi jem që
edhe mbi akull zien,
Zien e zbutet
Me pirunj të bardhë
I çahen kafshatat e urisë
Shtëpia jeme asht kujtesa jeme.
Ne muret e saj
Zvarriten damarët e trupit të ftohtë
E çelin lule plot nerv
Lule të marra
Lule të egra
Lule që mi përkundin sytë e sëmurë.
Fytyrat e fytyrave te mia
Të palumtuna
Këputen
I afrohen lutjes
Zmadhojnë gojën
E vdesin
E natën më dalin në andërr
Pa më xanë gjumi
Natën më humb edhe shpirti,
Këpucët
Flokët
Kambët
Malli
Qyteti e djepi
Jam diçka
Pa diçka
Një shpellë brenda dritës
E deformume
Në mënyrë të përsosun
Pika të lashta me bashkojnë me botën.
Kocka të pavdekshëm më vallëzojnë në trup
Me gishtat e mi vetëvritet dora jeme,
E askush nuk qan siç duhet.
Heshtjet e mia besimtare
Lypin një Zot të ri
Ditë e natë e diçka ndërmjet
E asnjë Zot nuk i don
Nuk i fal
Prandaj rikthehen,
Aty ku dëbohen,
në pulsin e sendeve
Aty ku unë tronditem
Sikur të isha një lajm i papritun ç’njerëzor.
Gjashtëdhjetë e dy metër katror
Shtëpia jeme e marrë hua
Për pak lekë në muaj
Nga një grua tjetër
Mizorisht tjetër.