>
LETERSISHQIP
Swami Paramananda

I Varfëri Dhe Perla

Perla me vlerë të madhe është e fshehur thellë.
Si një peshkatar perlash, shpirti im, zhytu, zhytu në thellësi,
zhytu akoma më shumë, dhe kërko!
Ndoshta nuk do të gjesh asgjë për herë të parë.

Si një peshkatar perlash, o shpirti im,
pa u lodhur, ngulmo e ngulmo akoma,
zhytu në thellësi, gjithnjë e më thellë, dhe kërko!

Ata që nuk e dinë sekretin,
do të tallen me ty,
e ti do të trishtohesh.
Por mos e humb guximin,
o peshkatar perlash, o shpirti im!

Perla me vlerë të madhe është pikërisht aty e fshehur,
e fshehur pikërisht në fund.
Është feja jote që do të të ndihmojë që të gjesh thesarin,
dhe është ajo që do të lejojë që ajo që ishte e fshehur
të zbulohet më në fund.

Zhytu në thellësi, zhytu akoma më shumë,
si një peshkatar perlash, o shpirti im!
E kërko, kërko pa u lodhur!
Përktheu nga italishtja: Nikolin Sh. Lëmezhi