>
LETERSISHQIP
Albi Lushi

Mëkati I Shenjtëruar

Matanë turpit ndizej afshi
Hoxha I lagjes lëshon ezanë
Pështillet kryqi me brekë mëndafshi
I gjori prift me një putanë.

Harroi një çast se ç'ish mëkati
Një çast harroi dhe Perendinë
I mjeri prift me rroba frati
U përgjunj mbi brishtësinë.

Pasthirrma të egra me mëkataren
Me dhembe shqeu pelerinën-thes
Qyqari hoxhë harroi minaren
Te shenjten këngë e la ne mes.

Ta marrë djalli ç'e gjet uratën
Hoxha i lagjes harroi Kuranin
Nuk desh të dijë prifti për Papën
Në djall dërgoi dhe Vatikanin.

Përmbi ikona u bë llahtarë
Rënkonin trupat si egërsirë
Afresket u bënë dëshmitarë
Për qyqarin hoxhë që bën sehirë.

Harroi urata se ç'ish mëkati
Harroi dhe psallmet e Perëndisë
I famshmi prift me rroba frati
Tashmë i falej Dashurisë.

~ Albi Lushi