>
LETERSISHQIP

Me Puthje Të Trokas

Sonet për vendlindjen
Më vjen përmallshëm të të zgjas duart n'përqafim
si degë pemësh, moskokëçarëse, andej kufiri,
të davarit mjegullën e ligë të një trilli
si pluhurin e viteve mbi të bukurën kartolinë.

Lagjeve të tua të bredh, më vjen, skaj më skaj,
me puthje të trokas shtëpi më shtëpi,
pastaj si fustan t'i qepem malit përbri
në burim Klladaneci' shikimin të laj.

Askund, askush, s'më njeh kaq gjatë sa Ti
si bijë e Avniut, Sabit, Aliut, Rexhgashve...
gjithkah, gjithkush, shkurt Albinë më di.

Më vjen të të shtrëngoj fuqishëm në gji,
si rrënjë pemësh, moskokëçarëse, thellë nën dhe,
m'linde të tillë, më t'madhe se veten t'kem dashuri.

' - Emri i burimit të ujit rrëzë malit të fshatit Tërrnovc.

Më shumë nga Albina Idrizi