>
LETERSISHQIP
Albina Idrizi

Nëpër Tejbotë

E kotë të shtiresh
pjesë e një hareje të kohës
kur përbrenda gjithmonë të fton
një harfë Orfeu
me miliona vjet drite rrugë:
"Eja!
Vetëm poetët
kanë të drejtën e zhbirimit
nëpër tejbotë,
atje ku arkeologjia e fjalës
është aq afër Zotit.
Vetëm ata munden
të flasin me yjet, bimët, shtazët,
të fluturojnë qiellit pa krahë,
të kalojnë dete pa u lagur,
të zbërthejnë enigma perandorësh,
të këmbejnë mrekulli profetësh,
të dëgjojnë për çdo natë
rrëfimet e Sheherzades
e t'i përvidhen Kreontit
sa herë duan të kalojnë matanë.
Pastaj prapë, si asgjë,
të kthehen po aty ku janë.
Eja!"
E kotë të shtiresh
kur përbrenda një pastoraleje shpirti,
ngarkuar me trastën e askundit
mbi shpinë,
gjithmonë ndjek një zë
pas të cilit, si në përrallë,
mbesin thërrmijat e misterit
cila nga ne
është vërtet gjallë.

Më shumë nga Albina Idrizi