>
LETERSISHQIP
Alma Zenellari

Frymëzim Maji

Akoma rri e strukur nën krahët e pushtë të zogjve?
Në ankthin e tyre të brishtë
për të fluturuar larg syve të mëmës?
Akoma nuk vjen ta përshëndesësh rrezen
mbi kërcejtë e gjelbërt,
që lagen prej vesës piklore?
I ndjen si fëshfërijnë gjethet,
Si zilka gazmore nëpër pemë…
Tringëllijnë gëzueshëm kur preken,
ledhatohen nga puhi e erës..
Ti rri aty
e drojtur, e ngrohtë, e pazëshme,
nën poret e zmadhuara të tokës
Mjafton ta vë veshin pranë saj
dhe të dëgjoj ty si pulson,
si u pëshpërin çdo rrënje të gjallë,
Si i prek me gishta delikatë, magjishëm
dhe ato mbushen me lëng,
e një ushtri e tërë bisqesh të gjelbër
çanë tokën furishëm.
Ta shoh fytyrën mes këtij gjelbërimi
nën kërcejtë e luledeleve,
që lëkunden hareshëm
dhe i thërrasin ajrit.
Flasin me thekët, pistilat
e qindra luleve të tjera,
Ato luledelet...
flasin me ngjyra gëzimi…
Këndojnë me tinguj të fshehtë
U thërrasin zogjve, bletëve,
brumbujve të vegjël
dhe ata zhurmojnë mes freskisë
dhe aromës dehëse që ti u fal…
Zgjohu pra pranverë.
Mos u ndal!
Ti je pranvera e Botiçelit,
me flokë myshku dhe aromë gruaje.
Je Persefoni e dashuruar,
që qëndis tokën me shpresë.
Zgjohu pra,
ngjitu pa drojë
drejt ujrave, ajrit, pemëve, qiellit.
Ma fal sot një buzëqeshje maji,
të mrekullohem brenda qënies sime.
të ndihem si ti,
e gjallë, e ngrohtë, puplore…
Më pagëzo me emrin tënd, pranverë!