>
LETERSISHQIP
Andon Z. Çajupi

Misiri

Fushë dhe fushë dhe fushë prapë,
Fush' e pasosur dhe shumë vapë
Mal s'të sheh syri, as breg, as gurë,
Po gjithëmonë tym' e pëlhurë.
Miza dhe pleshta dhe morra shumë,
Kunup' i shkretë të lë pa gjumë.
Era e ngrohtë, ujëtë trubull;
Fiku me gjëmba, pjepri si kungull.
Përrenj s'ka fare, vetëm një lumë,
I math si det, mbulon me shkumë
Fushën të tërë, gjithë Misirë.

Arat s'reshten, i vadit Nili,
Tek korret gruri, mbillet tërfili,
Elbi dhe misri, thekra, pambuku
Dhe dëm e kotë s'mundohet bujku.
Qetë si buaj, qeni si ujku,
Pyll s'sheh dot kurrë, as re në qiell,
Fshatratë zhveshur digjen në diell,
Udhët plot çuna, kosheret plot mjaltë,
Shtëpit' kasolle bërë me baltë,
Lyer me bajga brënda dhe jashtë,
Janë mbuluar me dru dhe kashtë.
Kuaj të mirë dhe të lëvduar,
Gomarë shumë dhe të ndëgjuar.

Behari furrë, dimri si vera,
Bashkë kullosin dhëntë me derra.
Shumë të pasur e të papunë
Në dimër vinë rrinë këtunë.
Nëpër qytete, nga minaretë,
Hoxhët pëllasin me zë si qetë,
Njerztë betonen për Muhamenë
Dhe kur i falen puthin dhenë.
Udhëtë shtruar me gur si shtufë,
Njerztë venë, vinë si tufë,
Zbardhur e zhveshur dhe të ngarkuar,
Po parësia m'umbrell në duar
Dhe grat' e tyre dalën mbuluar.
Vdes njeri? Gratë zën' e vajtojnë,
Qajn', ulërijnë sikur këndojnë.
Këtu ka princë dhe pashallarë,
Bejler' më tepër se nga gomarë;
Të pasur shumë, sa s'dinë ç'kanë,
Po më të shumtët s'kanë të hanë.
Përmbi të gjithë, një efendinë
Qeveris vëndë nënë Anglinë.