>
LETERSISHQIP

Ca Ishuj Që Unë Tani I Quaj Të Mitë

I kam shetitur ishujt,
i kam shetitur gjatë,
kreshtat e tyre e ujin ndër këmbë,
hënat rrezevakëta mbi shkëmbinj të përulur,
që nuk e dinë fatin e tyre.
Rrugë të ngushta e dëshira për vetvrasje gjithandej
e kafshë që bartin sende e njerëz me të njëjtin indiferentizëm
e emri i ishujve më vjen si aromë prej librash e këngësh
sikur kam shkuar aty para se të shkoj.
Në ishullin e Venerës
hidhërimet e erës janë si kamxhikë të fortë
e deti një lindje mitologjish.
Prej grepit u kap mendimi im
e u bë bashkëvuajtës i asaj kufome të neverishme
që mbasi vari veten edhe e ekspozoi mbi një trekëmbësh
që prekte qiellin,
i la sorrat t’ia qëmtonin sytë…

O Zot i fuqive të plota,
përmbysi ishujt
e bëmë që ta shoh vdekjen si një mbytje të thellë.

Më shumë nga Anjeza Dielli