>
LETERSISHQIP

Gocat E Viteve '90-Të

Ç’të kujtoj për ato zana të bardha më parë…
Gjithnjë të pandalshme, si punëtoret bletë
Ç’kishin me kohën e trazuar, ç’garë…?
Gocat e hirshme të viteve ‘90-të…

I mbaj mend, aq bukur i mbaj mend
Të bukurat, që nga mjegulla s’kishin frikë
Dhe diku në zjarrin e një kujtimi që aq thellë dhemb
Më enden gjithnjë me hënën në qerpikë

Ç’freski ndjeje kur mund t’i kishe pranë
Ngjanin në puhinë që tund barin në fushë
Kur në vend të floririt si stoli-gjerdan
U ndrinte mëngjeseve një pikë vese në gushë…

Vezullues mund të ishte ai vështrim
Kur si djalë i kohës zije diku një skutë
Për Norën, Rozafën, Tringën në parakalim
Dhe për atë më të zemrës-qielloren Teutë

Si t’i quaje ndryshe vajzat sy-shkëndija…
Që mallin e një dashurie e fshihnin nën gërshetë
Një mall që, po të mundja, në pikturë ta shtrija
Ose në një monument vargjesh si poet

Mes zjarrit të frikshëm, ato me buzëqeshje
Pse vallë gjithnjë ishin në nxitim…
Mes dhembjesh që mund të ishin më shumë se një vdekje
Sikur secila prej tyre ndiqte pafundësinë…

Pafundësinë, si rit të vazhdimësisë
Mes klithmash që thikë shponin në të zezën natë
Vajzat, qe me krahët e bukurisë
Një fluturimi të lirë i bënin paradë

Më ngjan edhe sot t’i shoh me zjarr në shpirt
Si dikur, nga ai këndi i mallit në qytet
Dhe mes kujtimesh më bredhin sytë për një flirt
Me gocat e hirshme të viteve ‘90-të

Që grisnin retë e çmendura të një qielli të hirtë
Për t’u kthyer në kaltërsi vetë…

Më shumë nga Besim Zymberi