>
LETERSISHQIP

Vetëm Zemra

Koha do të na plasaritë duart tona të djersitura
mbështjellë me vargje brengash,
do të na thërrmojë fytyrat buzëqeshur diell
dhe shpresat e mbyllura në kutinë e ëndrrave,
do na turbullojë shikimin me peshën e viteve konsumuar në një udhëtim heshtjesh të mbytura,
do të plasaritë trupat tanë të lodhur dhe të rrënuar
mbi të cilët kanë rrëshqitur disa pika vesë.

Vetëm zemra do të mbetet e strehuar
e do t’i tregojë vetes
misterin gjithnjë në ndryshim të dashurisë
fiksuar në memorien e shënuar nga vitet.

Vetëm zemra do krijojë memorie gëzimesh dhe pasionesh,
psherëtimash dhe lotësh konsumuar në shpirt,
ekstazash të paimagjinueshme që janë bërë trupore,
emocionesh të vjedhura nga pavetëdija e adoleshencës,
e dhuratash të vendosura nën këmbët e të varfërve.

As vdekja nuk do ta ndalojë zemrën:
do të vazhdojë të rrëfehet në një gërshetim qiejsh
përballë të Përjetshmes.
Përktheu nga italishtja në shqip Juljana Mehmeti

Më shumë nga Domeniko Pizana