>
LETERSISHQIP

Pa Pendim

Në shtigje resh, ku filtron vetëm drita,
mbi faqet e hënës fjalë argjendi mbolla,
një copë qielli kësaj nate për ty e grabita,
për të mbjellë në lëndinën e yjeve
një botë me përralla, puthje, ëndrra...

Kur të vijë pranvera si flutur të endem,
duke kënduar t'i mbledh në prehër të vajzërisë,
pastaj t' i fsheh tek ti, ku askush mos t' i prekë
e gjoksit të të gjëmojnë epshet e djalërisë.

Atëherë, unë do zgjoj nga kafazi i shpirtit,
atë kanarinë endacake, nëpër stinë e humbur,
ngatërruar si merimanga në rrjetën e kohës,
të gjej udhën e erës, horizontin e duhur.

Të dëgjosh këngën e lumturisë nga sqepi i saj,
të lozësh me telat e zemrës dridhur nga drithërima,
si dukur, edhe një herë prap të çmendurohem,
aty, në kupën e parajsës të mësoj ç'është flakërima,

dhe..
pa u penduar të nesërmen…pa.