>
LETERSISHQIP

Himnizim Për Dashurinë

Duhet të kesh dëgjuar dhe ti për dy stinë që u deshën
dy këngë që si refrene notuan mes shekujsh
dy çaste të shenjta që paskan mbytur kohën
dhe shpirtëra që s’u prehën as në Katedralën e Hygos!

Tregojnë detërat
atë natë të virgjër qielli ka qarë
e kështu u lind shiu!

Adami e Eva ringjallën mëkatin e stinëve
kah toka u nisën homazhe resh të bardha...

Rrugët e Parisit nëse i ke ecur në zemër hapash
do të kesh parë dashurinë sa ka ndërruar pamje
nga ai vallëzim shpirtërash që u ndëshkua
a nuk jemi dëshmitarë për mite Don Zhuanësh?
që do të mbesin në fytëra hiresh,
a mbuluar mermiangash ku djajtë do të usheqehen?

Këngët e Milosaos nëse i ke dëgjuar
zemra përshpëritë më së ashpërmi
në dashuri vetëm heshtja duhet mënjanuar!

Kjo aleate e netëve që risjell vetminë
lulëzon ninuallash në ndjenja që lindin
nga brumëra zjarrmish..

Do të kesh dëgjuar dhe për dy ëndërra të vona
mbytur në shllunga hijesh burgjeve pa mure
për fundin e madh të një historie udhëtimi
ku frika u shpall triumfuese mbi ushtarët
që nuk e ushtruan guximin..

Në funeralin e dy stinëve që qenkëshin dashur
liqejtë e murguar thithën gjithë mëkatin e pabërë
mes tjera botërash pastaj lulëzuan heshtas
eh, u deshën dhe para Zotit si të çmendur!

Për këtë shkak qiejt
bekuan dy herë dashurinë...

Nga ajo kohë yjet flejnë të zhveshur
hëna ushqen muzgjet në gjirin e saj
derisa ngopen për t’i lindur mëngjeset...

Dy stinët që s’janë më
mallkuan frikën në buzët e ditës
duke kthyer gjysmën e saj në natë.

Unë, Ti dhe Zemra stinësh të tjera
fituam hapësira të lira guximi
për ta shijuar më me afsh dashurinë!

Më shumë nga Edona Haliti