>
LETERSISHQIP
Elton Cemurati

Nuk Do Ndalem

Ende nuk e kam të qartë misterin e quajtur dashuri për ty. Kot jam perpjekur me orë, me ditë, muaj po bëhen edhe vite dhe ende nuk e di si
mund të dal nga rrjeta e dashurisë me të cilën TI më mbulon. Jeta disa here më tha : mjaft! TI ishe me e fortë se jeta. Vuajtja më tregoi pamjen e saj të trishtuar, dhe në sytë e vuajtjes shihja pamjen tënde prej engjulli. Sa here dhembja më goditi në fytyrë dhe çdo goditje mbante emrin tënd, unë filloja ti dua ato goditje sepse përplaseshin në fytyren time, dhe mbetej gjurma e emrit dashuri. Tani kam humbur në mes vuajtjesh, ankthit, frikës, ëndrrës dhe pritjes. Rruga deri tek ti është e pakalueshme më thotë bota, e ata nuk e kuptojnë që unë çdo natë e kaloj me ty, në përqafimin tënd, në gjoksin tënd, me puthjen tënde hipnoze.
Me thuaj cila je ti që je më e fuqishme se vuajtja, se jeta bile bile edhe më e fuqishme se vdekja që më sillet vërdallë.
Nuk e di, as nuk dua ta di, dua të luaj me vdekjen deri sa të kam ty në perqafim, dashuria ime e ëmbël.