>
LETERSISHQIP

Kush Je Ti?

Kush je ti o ëngjëll i kristaltë,
Të njoha sot, apo ke jetuar brenda meje,
Je nimfë që vrapon nëpër botë,
Apo ëndërr që më rrjedh nëpër deje?!

Në sytë e mi ti dridhesh ngadalë
Si një petale e brishtë trëndafili,
Rrezja e mëngjesit mbi ty u ndal
Dhe mijëra copëza ndjenjash të fali.

Mendimi noton ëndrraprishur
Në liqenin ndjellës të syve të tu,
Klith nën emocione ndjenja e fshehur,
Mbytet zemra ime në qiellin blu.

Unë fluturoj përmes vështrimeve të tua,
Aty ku akulli me zjarrin bëjnë dashuri,
Dhe trembem mos digjem, trembem mos ngrij,
Kam frikë se më tretesh si ylberi në shi…