>
LETERSISHQIP
Ernest Koliqi

Lutja E Dëshprueme

Ju qi keqas t’vorrosun keq flêni nder murrâna
mbi shpate t’pjerrta a n’pyje, n’breg deti ase n’breg lumi,
deshmor‘, q’êmën t’lavdishem keni thadrue n’gojdhâna,
nën dhé me gjak t’uej t’rîmun idhnín nuk u a shuen gjumi.

Ju qi n’vorre t’vetmueme keq flêni e nuk pushoni
e as deka varrz e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli,
qi éshtnat vrik ju dridhen kur del nji zâ nga pylli,
a kur nji zhapllim‘ hapash përbrî murân’s ndëgjoni,

ju qi n’mesime fisnike t’lahutës jeni rritun,
ju qi burrnín jetike e patët si mësuese,
ju qi lirín kreshnike zgjedh‘ e kishi per nuse,
ju qi n’mprojen e nderit botën keni çuditun,

sot n’murrâna t’harrueme kërkoni kot pushim:
ju qi epopé t’panjoftun shkruet me gjakun e kuq,
plot vrumulisje n’eshtna rrini tue bluem idhnimin,
fatosa orzez, për flîjen e jetës q’u shkoi huq.

U rrzuet tue rrokun armën dhe rrzue me jue fisi;
ato q’atdheut i kjené ndër mote gardh çeliku,
porzmat vigâne t’ueja, jo, nuk i mposhti anmiku
por mâma e fatit, mâma qi befas mbi né krisi.

N’heshtim t’natës shqiptare s’ndëgjihet kund zâ njerit,
prân‘ votres s’fikun nânat n’vaj nuk e njomin bukën,
por me sy t’papërlotun plot shkndija mnije, strukën
tue prit‘ furín ahmarrse qi t’thej‘ t’prîmunt e mnerit.

Jo váj por gjâm e ahté prej pyjesh sjell jehona,
zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zâ-mbytun ngjanë,
shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona
q’atdheut palcet gjallnuese mâ t’mshefta po i a thanë.

O Perëndí, na tokën pranuem qi Ti na fale,
n’tê tash tridhet‘ qindavjeta na u end e ndershme jet,
jetuem m’kto troje t’vobta, n’kto brigje t’thata e t’shkreta,
ngujve larg botës tjetër tue ruejtun dhên mbi male.

Me mzi strehueme trupin nga shiu e brshni e marrdha,
n’kasolle e stane t’brishta qi shpërthejshin duhínat,
pa dijt‘ qejfet e holla, pa dijt‘ ç’janë miradinat,
pa njoft‘ doket e lmueta të kombeve fatbardha.

E, pra, t’ushqyem n’kto gryka me bukë kollomoqe
Qi e zbutshin n’új të kronit, s’lypshim kurrgjâ mâ shum,
sepse bylmet na kishin nji lirí t’thjsht‘, t’pashoqe,
qi me hiret e veta na e bânte gjakun t’lum.

Nânat me qumsht‘ të pastër andjen n’shpírt t’on‘ dikojshin
Me fluturue si shqipe në qiell t’nderit shqiptar,
n’flak t’dokeve m’u kndellun e n’zjarrm t’buzmit bujar,
qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.

O Perendí, ndër shekuj ûja buzën na e zverdhi,
shpesh u errem pa hângër bukën m’e ruejt‘ për fmín
e mitun q’ish n’e rritun, por n’qe ‘i mik né shpín
na msyni, ia vûm para at buk mikut kur erdhi.

Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata?
Lírin e dy gisht nderi n’shtek t’ballit: s’kishim tjetër:
kto dy të mira zbritshin vobeksín t’on‘ të vjetër.
Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?