>
LETERSISHQIP
Fatmir Gjata

E Krishti Vdiq

E Krishti vdiq në kryq të drunjtë, Krisht’u ringjall
me gozhdë në duar, me gozhdë në këmbë, me dritë në ballë
me gjak përshkuar përmbi lëkurë, pikë më pikë i numëruar
ashtu i heshtur… vdekur ngadalë… ashtu rënkuar
ashtu ringjallur, ngjitur në qiell, zbritur mbi tokë
mbuluar me çarçaf të bardhë, me kurorë gjëmbash përmbi kokë
treguar sheshit, pa turp e ndroje, bërë me gisht
ndihmona zot se mëkatuam, më mirë Barabë se Jezu Krisht
e shohim sot më mirë se kurrë, më mirë hajdut se perëndi,
se shpirtin s’na e sheh askush, se shpirtin s’na e sheh njeri
na shohin rrobë veshur në trup e trupi vetëm nuk ka vlerë
po s’dua gjë për veten time, e lashë për ju e për të tjerë
dhe unë po lë vetëm ca vargje, Krishti u ngjall e pashë vetë
e pashë kur varrin ja zbuluan, e pashë kur iku lart përpjetë
e pashë me At si bir i shënjtë, e pashë të lidhur e përçmuar
falmi mëkatet si gjithmonë, falmë dhe për ç’kam për t’mëkatuar
se bashkë në kryq u kryqëzuam, e bashkë u pamë sy më sy
ti perëndi e unë poet, ëndërrimtarë gjithmonë të dy…