>
LETERSISHQIP
Fatmir Gjata

Ish Fjala

E mblodha ofshama kërrusur në shpinë,
e mblodha ca lutje
Në trung të një peme e hodha magjinë,
e ika më tutje
E mblodha ca lule lëndinës së parë,
i vura mbi flokë
Lëndinës se fundit kërkova një varr,
dy metër mbi tokë
E zbrita në pllajë me pjalm mbi pëllëmbë,
ku rrinte një plak
Me mjekër të zezë më priste në këmbë,
me duart me gjak
Më foli zëlartë i drejtë e i ngrirë,
—përse më kërkon?
Është mbrëmje e bukur për qef e të pirë, hajde pak më vonë
E sheh dhe ti vete që yjet kanë dalë,
shiko o njeri
Ka kohë për tu futur në varrin e valë,
ndaj bëj dashuri
Në qoftë ditë e fundit jeto për njëqind,
ka kohë për gjithçka
Nëse je poet do të kthej në xhind,
të jetosh dhe ca
Të tregosh gjithë botës parajsën e jetës,
dhe vetëm atë
Ferr nuk ekziston për hir të vërtetës,
më tutje s’ka gjë
Janë të dyja bashkë një mal e një fushë, qeshje e pikëllim
Dhe më vjen çudi si s’kuptoi kush,
çfarë ish në fillim
Ish fjala e para, të vret edhe ngjall,
shpresë e ngashërim
Ndaj shko dhe shkruaj për lot e për mall,
fol në emrin tim.