>
LETERSISHQIP
Fernando Pessoa

U Mbështeta Në Karrige

U mbështeta në kërrige tek ura e anijes dhe mbylla sytë,
Në shpirtin tim u shfaq fati im si një humnerë.
Jeta ime e kaluar u përzie me jetën time të ardhshme,
Midis të dyja ishte zallamahia e një salle
me njerëz që pinin duhan
Ku, siç ma kapte veshi mua, po merrte fund një lojë shahu.

Ah, i kolovitur
Nga ndijimet që më shkaktojnë dallgët
Ah, i përkundur
Nga mendimi aq i rehatshëm se sot ende nuk është nesër,
Se së paku në këtë çast nuk kam kurrfarë përgjegjësie,
Nuk kam personalitet të mirëfilltë, por e ndiej se jam këtu,
Në karrige si një libër i braktisur nga suedezja.

Ah, i zhytur
Në një topije të imagjinatës, pa dyshim, diçka e afërt me gjumin,
I tronditur aq qetësisht,
Papritmas i ngjashëm me fëmijën që kam qenë dikur
Kur luaja në pronën e fshatit dhe nuk i njihja algjebrën,
As algjebrat e tjera me x-et e me y-et e ndjenjave.

Ah, unë dëshiroj me tërë qenien time,
Në këtë çast pa kurrfarë rëndësie
Në jetën time,
Ah, unë dëshiroj me tërë qenien time në këtë çast,
si në çaste të tjera të ngjashme,
Në ato çste kur unë nuk kisha kurrfarë rëndësie,
Në ato çaste kur e kuptova tërë zbrazëtinë e ekzistencës,
Pa e pasur mençurinë për ta kuptuar
Dhe kishte dritë hëne dhe det, dhe vetmi, o Alvaro!
Përktheu: Anton PAPLEKA