>
LETERSISHQIP
Gili Hoxhaj

Dyerve Të Përplasura

Sa herë e kemi kapur veten për flokësh
derisa numërojmë centët e fundit
me të cilët s’mund të ushqejmë as veten.
Spitaleve,
paguajmë që të mos vdesim.

Nën kuletën e rrjepur na flenë ditët pa shpresë,
dimë të numërojmë deri në të nesërmen,
përkëdheljet janë shpëtimi i vetëm derisa fëmijët tanë trashëgojnë lodrat e atyre që janë bërë gra e burra.

Mjaftohemi vetëm me frymëmarrje,
sepse kështu na kanë mësuar ta ngushëllojmë veten!
Se pa zgjidhje është veç vdekja,
kanë harruar se nën çeremidet e thyera, vdesim secilën ditë.

Verbohemi çdo ditë nga pak nga pluhuri prej të cilit s’e njohim as veten në pasqyrë,
dyert tona ua hapin të tjerëve,
na rrjepin nga ëndrrat për ata që s’kanë shkelur as mbi lloçin e të mbathurave tona,
as mbi mindilin që s’na i fshin as sot djerset,
që janë palosur nën rrudha.

Prej klithmave na shtjerret zëri,
atëherë dukemi të kënaqur e endemi oborreve të rrethuara me tela të ndryshkur,
ata enden oborreve të botës
e flasin për vlerat të cilat i kanë djegur në zjarrin e parë.

S’kemi as faj që rrugëve i lemë ankesat me ata qe fatin e njëjtë e përjetojnë ndryshe,
kafeneve i kemi larë gjynahet e të gjithëve,
mes tymit të duhanit kemi vajtuar fatin e të parëve,
kemi rënkuar kur i kemi numëruar dhimbjet e trashëguara
për ta pranuar se s’jemi as vetë më mirë.

Veç fëmijët na i ndezin shkëndijat,
sa herë fryejnë qirinjtë e datëlindjes
neve na mbarojnë përrallat.
Përmes ninullave,
Të ardhmen ua patëm premtuar ndryshe.