>
LETERSISHQIP
Halil Xani

Përditëshmëri Në Qytetin Tim

Ditë tregu
si në zgjua bletësh
njerëzit ngarendin
disa blejnë
me shumicë
disa i shikojnë
pemët e perimet
e pjekura
goja iu lëshon lëng
po euro
nuk kanë në xhep.

Ca fëmijë
të pafëmijëri
me karro dore
bartin barrë
tepër të rëndë
për shtatin e tyre
ata nuk ndalen
nuk kanë kohë
as djersët t`i fshijnë
nga duart e tyre
të njoma
familja pret bukë
në mbrëmje.

Në sheshin e qytetit
rreshti i gjatë
i skamnorëve
që presin të marrin
asistencën sociale.

Një plak
zgjatë duart
për të prekur
deri në fund
të kontejnerit
pale mos gjen
ndonjë kore buke.

Trotuarit
përskaj tyre
kalojnë ca vasha
me gji e kërthizë
zbuluar
njëri duke i shikuar
me bisht të syrit
tha ngadale:
-Heu, lumë pë ne
sa të urtë
janë këta djelmët tanë!

Pak më poshtë
nga resaturant „Kulla"
dëgjohet muzikë
shurdhuese
tavolinave
„iu dridhen" këmbët
nga barra e mishit
dhe rakisë.
Skënderaj, 2002