>
LETERSISHQIP
Hil Mosi

Sheges Se Kopshtit

Pak vjet, o shegë, qi t’mbolla
E ti je rritë e shkue!…
Em bir me duerët e njoma
M’ndihmoj pleh n’rrâjë tue lshue…
E m’thote: «O atë, kur t’rritet,
As kjo do t’ jét për mue?»
«Po bir—un j’u pergjegja—
për ty jam tue e vu!»

T’shiqoj, o shegë, e ngrihem,
Kah t’shof me fryte plot!
E kah mâ teper rritesh,
Mâ e madhe ti ç’do mot,
Mâ shum për mbrenda digjem
E syt më mbushen m’lot!

Ti helmin t’m’a kuptojshe,
Moj shega e njomë e e ré…
Ti ndofta s’do t’m’shiqojshe
Kaq gaz edhe haré,
Por ftyren do t’a mvrojshe,
Do t’m’kqyrshe shum mâ zbét,

Se aj, qi ty t’plehnojti,
Qi ty aq fort t’gjallnojti,
Moj shegë, sot kalbet m’dhét!