>
LETERSISHQIP
Ilire Zajmi

Rregullat E Lojës

Fëmijë më mikluan me emra përrallor
e bija e babës hirushja e gjyshes
lazdrajka e mamit kukulla e hallës
vajzushë më mveshën tjera epoleta
çika e madhe, motra e vëllezërve
nderi i shtëpisë
nuse ndyshuan rregullat e lojës
gruaja e burrit nëna e fëmijëve
zonja e shtëpisë shtylla e familjes
Vonë shumë vonë e kuptova
asnjëri s ‘më paskësh thirr në emrin tim
Vajzë, Zemër, Grua, Dashuri.

Pse të çuditesh atëherë?
këto janë rregullat mashtruese të lojës
kur je e të gjithëve pa qenë kurrë e vetes.