>
LETERSISHQIP
Lata Ajdini Musabelliu

Valsi I Yjeve

“Mbretëri e vogël” ish për ne
Shtëpi e prindërve atje
Jo s’kish të dytë më si ajo
Në këtë tokë, mbi këtë dhe

Ja vodhëm gjumin netëve verore
Mëngjezet zhurmshëm ditës dhuruam
Nektarë jete shpirti plot mbushur
Me fëshfërimë pylli, eh, sa kënduam

Agu i ditës atje ishte ndryshe
Valsi yjeve aty kish shtëpinë
Muzgu i artë vezullim mbështillej
Lozonjarja hënë ia kishte zilinë

Qeshën, lotuan,dëfryen, gëzuan
Motrat-pulëbardha tek kjo mbretëri
Kupolë gëzimesh ajo strehëz atje
Mbushur kujtime strukur në gji