>
LETERSISHQIP
Lefter Çipa

Revolja Me Bri Fildishi

Ndizu, zjarr dhe lësho flakë,
Zjarri luftën më kujtoi,
Kur djali i vetëm një natë,
Më tha:- ika mëmë- dhe shkoi.
Një revole mora i dhashë,
Revolen me bri fildishi,
I thash` ma ka lënë yt`atë,
Yt`atë e kish` që nga gjyshi.
Gjyshi peshqesh e kish patë,
Nga ortaku i tij, Çerçizi,
Dorë më dorë me radhë,
Shkrepur Avniu dhe Vasili.
Luftë e fortë, vite të gjatë,
Si baba, po dhe i biri,
Nga Janina në Sanxhakë,
Parisi, Londra, Berlini.
Lum` çdo derë që bën djalë,
Se djalit i luan gishti,
Atë zakon djemtë kanë,
Trim mbas trimi nga stërgjyshi
Trimi kurrë s’mbetet pa armë,
Që në djep e kërkon, nipi,
Dhe në dhé, pa le i gjallë,
Nishan që s’i luan syri.
Revolja me bri fildishi,
Shkrepi e hakë s`la pa marrë,
Plumbi tek duhej goditi,
Perandorë dhe pashallarë,
Kështu historia thotë:
-Që të flinte trimëria,
-Do binte me gur nën` kokë,
Të mban ngrohtë gjakun e tija!
Himarë, 2004