>
LETERSISHQIP
Mentor Thaqi

Vallja E Llukës

Gishtat, thembrat, në gjunjë,
dorën ngritur kah tavani,
dysheme e themele në lojë,
burrat llukjanë, traditën në sprovë!

Nuk dijmë se kush e nisi,
Lluka i Nikollës a Nikolla i Llukës!
Një Epikë në Lirikë
dhe Lirikë mbi Epikë,

Lluka vallen luan,
bile edhe nërmjet betejash!
Nuk e di se ku ikën shekujt,
kah shkuan e kah vanë?!

Por, e di që Vallja mbeti,
gjallnon e jeton,
pushuan shpirtëra e shpirtëra,
e shpirti i saj, në lojë se në lojë,
daulles e çiftelisë, jehun súa luan,
pashaatë lëkurë tupani!

Eh, sa herë shahirët epik e lirik,
në fluturim melodie,
kajk mbas kajke, e valle tëhu,
me nga dy palë mustaqe si krahë Shqiponje,
sa në dyshe ala Dervish e Demush,
e Kapedan Valleje si Baba Jahë,

Baca Belë, ai plaku flutur,
se trashëgimtarët në radhë presin,
Selman Shaban, Hasan Isuf e Ahmet Llukë,
Shekullit në kalim!

Sa e sa herë amplitudave drithërima,
Kullave e logjeve,
sa e sa herë luajten Burrat,
e sa e sa lëkura tupanash shkeu Maqunga,
e bërë nergut, me dy gunga?!

E Dasma Llukjane, ajo ala Shqiptare,
tri ditë para e tri pas,
jehonë e oshëtimë deri në Kupë Qielli,
Lluka në kajkë e valle,
në shpirtë u shkri, qebesa!

- O, të na trashëgohen, more!
- Një katund u bëftë prej tyre!
- Na gëzofshin me Myftar Katundi,
Kapedan e Kajmekam Mileti e Vatani!
Dhe, rend Dyerve të Oborrit,
Nusja me këmbë të mbarë,
bashk me tri krisma Mauzerke,
të ligat vriteshin e zhdukeshin të tmerruara!

Po kush tjetër veç Bacës Belë e Nënës Bute?!
Defit e Tupanit, atë lëkurë plancido ia shqyejm!
Punë e madhe, planca në ahur me bollëk kemi,
se Lluka, Vallen s´e len qebesa!

E kajka, jehut e tehut,
vet jeta llukjane!
Me mjeshtri hijeshojnë Vallen,
Qerim Tahir, me Adem Ramen,
cicëron Kavalli, si harabeli,
nga Col Zenuni e Adem Zeneli!

E t´ja marrin kajkës t´kulluar,
tu i ngritë gotat, raki t´bekuar,
për me i ngjallë t´vdekurit nga vorri,
raki kumbullash nga Isuf Kaqorri!

Shtatë tetë kangë-valle, dy tri llafe,
nga dy tri gota dhe një rend kafe!
Se po t´baj be n´atë Verr Binak,
ku asht dhanë Besa me be të bukës,
deri n´gu n´u lafshim n´gjak,
nuk ndalet kanga-vallja, jo, n´Verra t´Llukës!