>
LETERSISHQIP

Sonte Terri Ma Kafshoi Shpresën

Sonte terri ma kafshoi shpresën
Ujqërit ulërijnë në vargjet e mia
Strofa e parë pëlhurë merimange
Lapsi nga dora më iku
Hëna mu bë shoqe
Që shtigjeve të kërkoj dritën
Në natën më të gjatë të jetës
Sonte as ti nuk ishe me mua
Të gjithë më lanë vetëm
T’i numërojë vitet plagë
Hyra në shekullin e dytë të jetës
Me hartën e grisur copë- copë…
Eshtrat stoli lirie
Hapërojnë mbi qelizat e mykura
Nata përbindësh i ëndrrave të bardha
Më prit bir t’i numëroj kockat
Në valixhen e kujtimeve
Me AND-në e krimit
Nata u mplak
Mëngjesi e përpiu të tërën
Para syve të mi dëshmitarë të vetëm
Askush më nuk beson
Në ëndrrat e bardha
Të natës së zezë
Gjithçka mbeti gri…
Hesht
Ata po ikin
Edhe ëndrrat tona i vodhën
Hesht
Ta mbroj këtë ëndërr të bardhë
Të natës së zezë nga barbarët…
Hesht
Sa t’i numëroj plumbat
Mbi hartën e përgjakur
Për të mbajtur të freskët
Kujtesën historike

Më shumë nga Mevlyde Mezini Saraçi