>
LETERSISHQIP
Mitrush Kuteli

Kënga E Pestë: Qëndrimi

Tani!
Tani!
Unë jam gati
të vdes që sot -
se rroj përmot;
mbytur me gjak
po jo me lot,
për këtë Dhe
që e kam si fe
e përmbi fe.
E kam Vatan!
E kam Atdhe!
Hej!
po buças me zë kaba
sa të dëgjohet në qiell la
sa të dëgjojë fund e kryej
kush gjak shqiptari ka në dej.
Shaban- vëlla!
Destan- baba!
Hej!
Komb i lirë kosovar,
ti komb shqiptar,
ti Zot krenar
ti djalëri- ti pleqëri
bëju gati!
Bëju gati
për vrull të ri;
ta djegësh botën
ta bësh hi:
për Liri'
Për Shqipëri!
Tani,
tani!
- O Mal i Zi
ja unë
ja ti!
Po unë - jo ti,
se jam këtu kur s'kish njeri
dhe as kufi
as fqinjëri...
Unë jam këtu kur Mali i Zi
Me Shumadi,
Me Dallmati -
Sa mban e gjitha Shqehëri
Ish ILIRI!
Kur nga një det në tjetrin det
isha Zot vetë.
Se jam këtu nga moti
kur vetë zoti
e bëri fushën- fushë
e malin mal!
Unë jam këtu
e do të jem
- dem baba dem -
Sa mali të bëhet hi
E hiri mal përsëri.