>
LETERSISHQIP

Jam Vetvetja

Jam vetja ime
krenare e dehur në rrënjët e mia
në dheun tim sublim, folenë e dashurisë,
me gjuhën shqipe rrënjë lashtësie
hirësi e trashëguar nga të parët plisbardhë
pellasdë-ilirë-shqiptarë.
Koherente me egon time
me portretin tim në rrugën e diellit
trashëgiminë si një mrekulli e bekuar
nëpër mote skalitur.

Përkushtimi jeh magjik i pathyer,
thellësi e pulsuar me gurgullimë
me vargëzimin kurorë
për gjurmët e stërlashta me jeh frymëzimi
në krah baladash
ngazëllimin mal me borë.

Zgjohem përditshëm me uratën e dehur
përbetuar në agun me sy pranvere
si dallgëzim i stisur për të ecur me kohën.
Qëndroj thjeshtë dhe ballëlartë si gjithëherë
në sfidim stinësh të trishta
që m’i gërryenin ecuritë,
rininë që ma bënë të pjekur para kohe
në hulumtim ngujimesh-natë e pahënë,
përjetimet e mbarsura me dhembje
nëpër rrugët me diga të acarta
që lanë gjurmë të thella brenda meje.
Thelluar hapërimeve të derdhura
notojë me sy deti,
me frymëmarrjen e ritmit të pamposhtur
përqafoj shtigjet krahështrira
nëpër kohët që ikën pa i vërejtur
që shkuan shpejt si në vrapim
si lumi në gurgullimë,
nuk mund të kthehen më në rrëzëllimin e parë.
Mbetën vetëm kujtimet e thinjura
si relikt përmallimi,

Vitet në vazhdim
dallgëzim hirëplotë i derdhur
në krah pulëbardhash flakëruar
me gjurmë amësie bekuar
në shuarje rrebeshesh të mundimshme
nëpër thellësitë me rrëfimet enigmë.

Me uratën e pashuar për diellin
portat e zemrës me dehje dëlirësie
përherë me vrull të dalldisur dashurie
për gjuhën e afrisë
vizionin e mençurisë
shtrirë në përthekimin e etnisë së etur.