>
LETERSISHQIP

Kulla E Gurtë Stërgjyshore

Në vendin ku u linda unë
në Therandën me buzëqeshje të dehur agu
ruhen ende përplotë kthjelltësi
kujtimet për kullën e gurtë stërgjyshore
në Rrëzëhisarin e lashtësisë sime
në shtresime.
Frengjitë sogjetare
anë për anë në përthekim
skalitur me mjeshtri të derdhur
në sfidim stuhish rrënuese
që errësonin edhe në dritë me diell
nënqiellin tim të dëlirë, yllësisë në vezullimë,
portat në hapekrahje triumfale.

Nga flakërimi i fjalës së mençur
besa e dhënë në kullë
perlë trashëgimie, ujëvarë e cemtë,
kurorë krenarie plisi i bardhë
në ballë të odës legjendë e gjallë
për kuvende të dehura në rrjedha zgjimi.

Në fokusimin tim ëndërrues
kullën e fëmijërisë sime
nga mjeshtrit vendorë skalitur
e kujtoj krejt përrallore
në gjasim kalash të paepura,
në të personazhet me peshë të dritur në histori
bashkë burra dhe gra si tërësi
me jeh të derdhur përkushtimi.

Pishtarë të shkrepur gjyshërit prijatarë
në përballje fyta-fyt me djallin
hijesh të patrajta me përmasa lubish
që kanoseshin pa pikë faji nëpër mote
stinëve të diellit,
që të tkurrnin me refrene trishti
pëllëmbën e frymimit tim të dëlirë,
peshonin rëndë
mbi vrullin e pranverës në bulim.

Kulla e gurtë stërgjyshore
me gjurmë historish të derdhura
nëpër mote
krenarinë ma bënë mal me borë
dashurinë me rreze dielli praruar
për Kosovën me kurorë lirie,
për trungun e bashkuar arbëror.

Më shumë nga Naxhije Doçi