>
LETERSISHQIP
Përparim Dida

Vendlindjes...

Dua sot viseve të mia t’u shtrihem gjërë e gjatë,
të përqafohem me lule bjeshke, barin e livadheve.
Ta pudros fytyrën me polen lulesh në fushë Korab,
gjunjtë e pantollonave t’i grisi e ngjyejë me jeshile.

Këmishës së hekurosur t’ja prish pak tangërllëkun,
t’ja zbërthejë komçat e gjoksi të marrë frymë thellë
Ta ndjejë ashtin malit gjatë n’zhgryerjen me dheun
e nga vesa mëngjezore fytyra ime shkëlqim ta merr.

Ta kujtojë dhe njëherë fëmijërinë time me nostalgji,
ta nxjerr atë mallin madh i harruar të mos mbetem.
Më mbajtën ato male siç mban nëna fëmijën në gji,
dua të lahem me shi mali me baltë arash të ngjizem.

T’i vijë trupit tim erë baltë si femijës qumësht gjiri,
e fytyra të më zinohet nga pluhuri që ngre bagëtia.
Muskujt të forcohen me kacavjerjet në degë mani,
të marrë me vete ashtin nga t’ëmbëlat trojet e mia..

Dua ta mbush krahërorin me aromë lule bjeshkësh,
me melodinë e fyellit ta kujtojë atë gurrën popullore.
Në valle dyshe burrash t’ja marrë asaj të Shupenzës,
e ta ringjalli shpirtin e vrarë në mes të odës dibrane.

Në valle burrash zëri të ushtojë me të tjerë hej, hej, hej …!
madhështinë ta ndjejë e ti heq sumbllat e xhamadanit.
Mua…këtu veç trupi më mbet mëndja më bredh, andej
ndër fusha të Drinit të Zi e n’bjeshkët e gjana të Korabit..