>
LETERSISHQIP

Luftetari Ynë

E fatkeqësoi vorfnija,
Nuk ka mbrojtje prej kurrkuj,
Shtëpija e vet s’asht e tija,
Brenda rron si rob u huej!

Robe mëma*) rob e polli,
Me keqhjekë i vu kunorë,
Tok’t frytore aj i mbolli, -
Vjen u hueji e i korr!

E tlynin prej qumshtit mnjelmë*)
Merr halldupi*) – t’mbramen pikë, -
Aj me shllirë, shllirë t’njelmë
T’vet gërmazit enden*) fik!

Vorfnija, zija, mnera,
Petkat crule, gjoksi çelë,
E pjek djelli, e rreh era, -
Shpirt i fortë e nuk i ngel!

Por nji ditë iu neveriti
Kjo vorfni, kjo robëni,
Thue se ore e vet e thrriti
Dhe jeten ta bajn’ dëshmi.

Rroki pushkën at gjaksore,
N’brez mbërthej at samokresë*)
E ma s’oarit shkoi ndër vorre,
N’vorre t’prindes mori ndjesë.

Mori ndjes’ dhe u betovi:
„O liri, o vdek’ me nder!...“
Syni lote i pikovi,
Se kujtoi fëmijtë të mjerë!

Katër foshnja për rreth votret
Pa nji mbrojtje që i la, –
Shtërngoi zemrën, shini lotet
Edhe mallit nuk iu dha.

Por u soll me t’shpejta çapa
Tuj vegue me synin shgjetë,
Nuk e ktheu lryet mbrapa
Dhe që mbrriti n’mal të shkretë.

Pasoi dita, ardhi nata,
E luftari pushkën n’dorë,
Filloi shiu e shtërngata,
Filloi breshër, filloi borë!...

Ndër kujdese ra të thella,
Kriznet zemrës tuj ia njehë,
Nuk e mprute dot as shpella,
Vetëm qiellin kishte strehë!

Nata e par’ në mal q’u hodhi
E dhunojti pa mëshirë,
Porse mëma kështu e polli:
Me vue*) si burrë i mirë.

Orët shkojnë, agimi plasi,
Pushoi moti i natës s’parë;
Me halldupa aj u hasi,
Pushkës gjaksore i dha zjarr!

Deh fatosi luftën nisi
Me t’pafrigshmën fytyrë,
Sa barbarë I rrokullisi,
Të lahen në gjak të ndyrë!

Ra përseri dhe errësina
E luftari udhën muer,
Porsi shqari mbi shkëmbina
Xu pushimin mbi nji gur.

Mbi nji gur pushimin nguli,
Gjaksoren e pshteti n’sup
E prej krahit strajcën uli,
Xuer ca bukë edhe nji kupë.

Çeli kupën, kupën drunit,
Me kryp’ bukën e mylmej*),
Buka thekën vend’n e unit*)
Luftëtarit ia ushqeuj!

Ja ushqevi vend’n e unit
T’mbramen her’ në jet’ të vet,
Se iu sos kafshata e fundit,
As thërime ma s’i mbet.

Pasojn’ ditt e koha vojtje,
Pasojn’ ndeshjet, vrasë e presë,
E luftari pa nji mbrojtje,
Përpos pushkës t’vetmes shpresë!

Tuj luftue për nder të fisit
Po hjek’ zi, po vuen mundim,
Bar këllkaze, kshtnja lisit
Vetëm kishte për ushqim!

Kur qerpallet gjumi vriste
Dhe kotin s’po muj me vue, *)
Se gjith forca iu moliste, *)
Lypte shpirti me pushue

Me gjaksoren kapërthye
U përshtrite i tërhejektë, *)
Shtatin n’tokë e gur nën krye
I kënaqte sytë e mektë.

Me halldupa kur u ndeshte,
Me barbar të pamëshirë,
Buza veç at herë I qeshte,
U ushqete për dëshirë.

Por nji dit’ si’ shkoi për s’mbrarit.
Xu luftovi poe sa pak, -
I ra plumja e barbarit,
Plasi gjoksi gulfa gjak!

Porse zemra s’e lëshovi,
Gjaku rrkaj’ s’i shtite mnerë,
Shpërblej varrën q’i luftovi,
Ç’prazi pushkën t’mbramen herë!

T’mbramen her’ pushkën e çprazi
U molisi e u rrëxue,
E ndër buzë iu dëftue gazi,
Se për Shqypni u dëshmue!*)

U rrëxue, ma n’kamb’ nuk çohet,
Gjaku s’prante tue dalë,
U përpoq sa të largohet
Prej barraket*) t’gjakut valë.

Me mundim e xu provimin
Forcë zemrës tuj i dhanë,
Mbas nji shkrepit gjet pushimin,
Ku shkoi gjunjas e rrëshanë.

Porse tresjet*) ktu e xune,
Krejt humbati në kllapi,
E në mashte*) iu dëftuene
Loçka e zemrës katër fmi!

Katër foshnja pa përkrahe
Pa nji mbrojtje, pa nji pshtetë,
Q’i po i len n’vorfni e n’ahe,
N’rrug’ të madhe, t’mjerë e t’shkretë.

Të përpiqen, të trazojnë, ”)
Si çë mben’ jetima t’ngratë,
Dyert të heja të kërkojnë
Për nji koje buk të thatë!

Kto kujtime e pikllueme,
Malli i fmive nuk iu shkoq,
Lot prej syve i kulluene,
E mbramja fshame iu tërhoq!

Dridhi shtatin, sytë i mbylli,
Ma nuk juejti askërkah,
E në qiell iu fiku ylli,
Jetën për Shqypni e dha.

1*) robe mëma = mëm robëreshë
2*) mjelmë = të mjelur
3*) halldupi =(turqizëm) turku, armiku
4*) eden=etjen
5*) samokresë=(serbizëm)revolverin
6*) me vue= me vuejtë
7*) e mylmej= e ngjyu
8*) vend’n e unit= vendin e urisë
9*) dhe kotin s’po muj me vue=dhe s’mund të duronte të koturit
10*) iu moliste= i keqësohej, dobësohej
11*) u përshtrite i tërhjektë=shtrihej i lodhur
12*) u dëshmue=ra dëshmor
13*) prej bërraket=prej vërragës, prej pellgut
14*) tresjet=(sërb.) të dridhurat
15*) mashte=(sërb) kllapi
16*) të trazojnë= të trazohen, t’orvaten

Më shumë nga Risto Siliqi