>
LETERSISHQIP
Rudina Çupi

A Është Si Turpi Liria?

Përshtypja e parë e të qenët e lirë
më ngatërrohej pak me turpin,
ishte si ndjesia e të rriturit që rri lakuriq
e i duket se ajri ngjit.

Ndjen çlehtësi
kur fillon të zhveshësh nga trupi
sende të rënda që të lidhin pas vendit,
për shembull, kur zhvesh atdheun,
e lë si rrobë përdhe e futesh në det…
nëse të merr malli për të, kur të mbërrish në tjetër breg,
shih në krahun e majtë shenjën e vaksinës së lisë
dhe mendo se me vete e ke.

Kur të zhveshësh nga trupi fenë
vërej në lëkurë shenjat mavi të llastikut
që duken të gdhendura, si vidë
dhe çuditu pse shenja është nën kërthizë:
diku mes vendit ku ke qenë lidhur me nënën
dhe vendit ku lidhesh me atë që fle.

Një e dridhur do të kalojë në lëkurë
e do të ndiesh frikë
se mos mbështjella që t’i mban puthitur thelpinjtë
çahet ndonjë ditë e nga farë bëhesh bimë
me rrënjë, kryesisht.
Oh, është ushtria e qimeve moralistë!
Thjesht futi një brisk.

Friku, kur të mësosh se liria është vetmi.